Nexhip Allpan (turqisht: Necip Alpan; 1920 - 2003)[1] albanolog, pedagog, veprimtar i arsimit, publicist dhe shkencëtar i shquar shqiptar në Turqi.
Nexhip Allpan (mbiemri i tij rrjedh nga Alban), u lind në Zhulat të Gjirokastrës. Arsimin fillor e mori në vendlindje dhe në Gjirokastër. Në vitin 1930, bashkë me familje (nëna i kishte vdekur) shpërngulet në Turqi. Shkollimin fillor të nisur në vendlindje e përfundoi në Soke dhe të mesmen në Ajdën (1938), Normalen e Stambollit (1942), Institutin e Lartë Pedagogjik Gjuhësor në Ankara, ndërsa në vitin shkollor 1957/58 vazhdon studimet psiko-pedagogjike dhe filologjike në Universitetin e Sorbonës në Paris.
Pas përfundimit të studimeve filloi punën si mësimdhënës në Soke, ku punoi në vitet 1945 - 1950. Pas kësaj u emërua profesor i psiko-pedagogjisë në Shkollën Normale të Kastamonuit (1952 - 1954), profesor në Institutin "Gazi" të Ankarasë, inspektor i arsimit në Izmir, këshilltar në Ministrinë e Arsimit. Ishte anëtar i shumë shoqatave profesionale, shkencore, kulturore, etj. Punoi edhe si shqipfolës në radio "Zëri i Turqisë".[2]
Ka botuar një varg punimesh në organet pedagogjike e kulturore (Imbat, Ogretmen, etj.), ishte edhe editor i revistës zyrtare arsimore. Bashkëpunoi me shumë revista dhe gazeta shqipe në SHBA, në Tiranë e në Prishtinë si dhe në ato turke. Shkroi qindra studime dhe artikuj nga pedagogjia e psikologjia dhe botoi shumë vepra pedagogjike, shkollore, historike, gjuhësore, kryesisht në Turqi. Është autor i më shumë se 30 librave shkencore profesionale.[3]
"Shqipëri, o nëna ime, Ku pashë të parën dritë, Ku u rrita me thërrime, Të kam ndërmend natë e ditë.
Ti ke qenë e je për mua Gjithë shpresa dhe gëzimi, Të kujtoj e fort të dua, Siç kujton nënën jetimi."[2]