Zihni Sako (Gjirokastër, 27 mars 1912 - 16 shkurt 1981) ka qenë folklorist, poet, tregimtar dhe novelist, hartues tekstesh të folklorit, propagandist i ateizmit shkencor, profesor i shkencave i cili ka bërë shpjegimin e disa termave të shkencës e të teknikës për hartuesit e Fjalorit të gjuhës shqipe të botuar në Tiranë më 1980.
U lind në Gjirokastër më 1912. Pasi kreu shkollën fillore dhe të mesme në vendlindje, ndoqi në Athinë studimet e larta për filologji gjatë viteve 1931-1936.[1]
Më 1938 punoi si mësues në gjimnazin e Gjirokastrës dhe më pas në Korçë e Berat.[2] Mori pjesë aktive në Luftën Nacional-Çlirimtare si agjitator dhe propagandist dhe më 1943 u hodh në radhët e Ushtrisë Nacionalçlirimtare, ku pati funksione drejtuese. Po këtë vit u pranua anëtar i PKSH.[1]
Pas Çlirimit, Sakoja qe drejtor shtypi i Ministrisë së Kulturës dhe më 1949 u emërua kryetar i komisionit të Folklorit të Institutit të Shkencave, që i paraprinte Universitetit të Tiranës.[2] Nga viti 1960 deri në vitin 1979 ka qenë drejtor i Institutit të Folklorit.[1] Figurë qendrore në folkloristikën e kohës, redaktoi dhe botoi vëllime të shumta të letërsisë gojore, ku përfshihen vëllimet Mbledhës të hershëm të folklorit shqiptar, 1635-1912 (Tiranë, 1961-62) si dhe përmbledhjen katërvëllimëshe Proza popullore (Tiranë, 1963-1966). Bashkëpunoi gjithashtu me botimet në gjuhën frënge të vargjeve popullore Trésor du chansonniere populaire albanais (Tiranë, 1975) dhe Chansonniere des preux albanais (Tiranë, 1967).[2] Së bashku me Gjikë Kuqalin dhe Besim Levonjën çmohet ndër autorët e parë të teatrit partizan socialist.[3]
Pas Kongresit IV të Partisë në Shqipëri më 1961 qe ndër shkruesit e artikujve të propagandës komuniste që orvateshin të shpjegonin lidhjen midis besimeve fetare dhe të ashtuquajturave modele të sundimit dhe shfrytëzimit.[4] U zgjodh gjithashtu deputet në disa legjislatura të Kuvendit Popullor dhe ka qenë anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Frontit Demokratik të Shqipërisë.[1]
Ndërroi jetë më 16 shkurt 1981.[1]
Për merita pune dhe krijimtarie i janë dhënë titujt «profesor» dhe «Mësues i Popullit», Çmimi i Republikës i Klasit të Parë, Urdhri i Lirisë i Klasit të Dytë, Urdhri i Punës i Klasit të Dytë e të Tretë, Medalja e Kujtimit, Medalja e Trimërisë, etj.[1]
Teatrit të qytetit të lindjes së tij iu vendos më 27 nëntor 1968 emri “Zihni Sako”, në nderim të tij.